Platforma SelfCare, bizneset ankohen sërish se nuk funksionon normalisht
Bizneset raportojnë bllokime dhe akses të pjesshëm të platformës në ditët më kritike të muajit.
Pavarësisht njoftimit zyrtar se problematika e ditëve të fundit me Platformën Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur dhe se sistemi është rikthyer në funksionim normal, një numër i konsiderueshëm biznesesh kanë ngritur sërish shqetësimin se në praktikë situata vijon të mbetet problematike. Sipas tyre, platforma SelfCare ose nuk funksionon fare, ose është e aksesueshme vetëm pjesërisht dhe me ndërprerje të shpeshta, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të aktivitetit.
Bizneset theksojnë se këto probleme po shfaqen në një moment veçanërisht kritik, në ditët e fundit të muajit, kur presioni për lëshimin e faturave, mbylljen e shitjeve dhe kryerjen e rakordimeve është maksimal. Funksionimi “me faza” i sistemit, sipas tyre, nuk përbën një zgjidhje reale, pasi proceset fiskale kërkojnë akses të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm, sidomos në fundmuaj, kur volumi i faturimit rritet ndjeshëm.
Rreziku i penaliteteve dhe zgjidhjet alternative
Sipërmarrësit paralajmërojnë se çdo vonesë apo bllokim i sistemit i ekspozon ata ndaj rrezikut të mosrespektimit të afateve ligjore dhe potencialisht edhe ndaj penaliteteve, pavarësisht se shkaku nuk lidhet me përgjegjësinë e tyre. Ky shqetësim vjen pas njoftimit se rreth 139 mijë tatimpagues që përdorin software për lëshimin e faturave duhet të vijojnë aktivitetin edhe kur faturat nuk pajisen menjëherë me kodin unik, ndërsa pas rikthimit të plotë të platformës janë të detyruar të fiskalizojnë faturat e pafiskalizuara.
Po ashtu, për tatimpaguesit që nuk përdorin software fiskalizimi është përmendur si alternativë përdorimi i bllokut të veçantë të faturave. Megjithatë, bizneset në terren vënë në dyshim zbatueshmërinë reale të këtyre zgjidhjeve, sidomos në kushte presioni kohor dhe paqartësie teknike.
Kërkesa për garanci dhe stabilitet
Sipas sipërmarrësve, mungesa e një funksionimi të qëndrueshëm të sistemit fiskal po shndërrohet në një problem të përsëritur dhe jo episodik. Në këtë kontekst, ata kërkojnë jo vetëm deklarata zyrtare, por garanci konkrete për funksionimin e pandërprerë të platformave digjitale fiskale, si dhe fleksibilitet real në trajtimin e rasteve kur vonesat shkaktohen nga probleme teknike jashtë kontrollit të tyre.
Sipas bizneseve, në të kundërt, barra e pasigurisë digjitale po bie sërish mbi sipërmarrjen, në një moment kur aktiviteti ekonomik kërkon më shumë stabilitet dhe jo pasiguri shtesë.